top of page

Një memorial për të nderuar kujtimin e fisnikëve të hershëm që nuk jetojnë më por që investimi i tyre ndihmoi pasardhësit dhe bëri të mundur një koncept të ri zhvillimi urban dhe miqësor me mjedisin për Tiranën e tyre të dashur.

Foto: Instalacioni 5 Familje nga Pirro Pjetërnikaj

5 Familjet.JPG

HOMAZH PER 5 FAMILJE
THEMELUESE TE TIRANES

5 familje fisnike të Tiranës: Begeja, Vaqari, Ali-Mehmeti, Saliaga dhe Llagami  kanë pasur tokën e tyre këtu qysh para një shekulli.
Ky instalacion është një memorial në shenjë nderimi dhe respekti për pronarët e parë të kësaj toke që komunizmi u vodhi pronat dhe i keqtrajtoi pa pasur kurrëfarë faji. Kjo vepër nderon të parët tanë, nderon lodhjet dhe përpjekjet e tyre të mëdha. Për fat të keq ata nuk munden të shihnin me sytë e tyre të realizuar ëndrrën për zhvillimin e pronës së tyre në një mënyrë që i bën nder qytetit.

KONCEPTI

5 Familje - 5 Yjet E Perjetesuar

Historia e vërtetë e tokës, kthyer në një vepër arti unike dhe bashkëkohore. Bazuar në trashëgiminë e 5 familjeve fisnike pronare të Tiranës, vepra ka si qëllim përkushtimin e vëmendjes dhe respektimin në lartësinë e duhur të vlerave njerëzore, historike, shoqërore, kulturore dhe qytetare të zhvilluara mes hapësirës urbane.


Pamja komplekse e zhvilluar në formën e një pishtari lirie si trofe që i jepet trashëgimtarëve në arritjen e tyre. Pesë kollona simbolizojnë 5 familjet fisnike trashëgimtare të pronës që lartësohet në lëvizje dinamike nga jeta tokësore drejt lartësisë qiellore. Yjet simbolizojnë numrin 5 si elitë fisnore e trashëgimisë. Flirudhat që shoqërojnë yjet në vazhdim tregojnë lëvizjen e përjetësisë në hapësirë duke parë zhvillimin, ndryshimin dhe trashëgiminë e tyre. Sfera në mes simbolizon tokën (pronën) rreth së cilës lëvizin yjet dhe njerëzit në hapësirë.


Përjetësimi i vlerave bazuar në identitetin e elitës së kohës së fisnikëve trashëgimtarë ku ka si qëllim të përgjithshëm identifikimin e kontributorëve si dhe harmonizimin me hapsirën duke u kthyer në energji pozitive për publikun. Vepra e artit ka qëllim harmonizimin estetik, jetik për të rigjeneruar shpresë dhe energji ndaj cdo qytetari që i perkushtohet jetës, kulturës, zhvillimit njerëzor duke respektuar punën dhe kontributin e fisnikëve, si dhe duke bekuar trashëgiminë në përjetësi.

HISTORIK

Para një shekulli kjo zonë njihej si Lagjia e Re ose Kroi i Shëngjinit dhe kish burim të madh uji (tek ish nyja e betonit). Pronarët më të mëdhenj të kësaj toke përfshinë vëllezërit Mahmut dhe Xhemal Begeja, Ramazan Deliu (që shiti 14 dynym të tjera vëllezërve Begeja e më pas e ndau tokën në pjesë të barabarta prej 14,120 metrash katrorë secilës prej vajzave të tij që u martuan tek familjet Vaqari, Llagami dhe Ali-mehmeti), etj., sic vërtetohet nga dokumentet zyrtare të Ipotekës të vitit 1945, në kërkesën në gjykatë për ndarjen e pronave mes vëllezërve Begeja, etj.

Me ardhjen e komunizmit, si kudo që u ndalua prona private, komunistët ua vodhen tokën, ua sekuestruan dyqanet e shtepitë si dhe i burgosën këta fisnikë të Tiranës ndonëse nuk kishin bërë asnjë faj, që vec donin të zhvillonin pronat e tyre dhe bashkë me to dhe qytetin që e donin aq shumë.

Me ardhjen e demokracisë dhe miratimit të ligjit të kthimit të pronave, të parët e familjeve pronare që ishin ende të rinj kur komunizmi ju vodhi pronën (Haki Begeja, Jalldiz Sefa-Begeja, Nexhat Llagami, etj.) u bënë promotorë duke kërkuar pronat e tyre legjitime. Qysh në vitin 1993 ka vendime për njohjen dhe kthimin e pronës tek pronarët ligjorë. Janë me dhjetëra vendime të ish Komisionit të Kthimit të Pronave, më pas të Agjensisë së Kthimit të Pronave dhe disa vendime gjykatash, me një proces që ka zgjatur mbi 15 vjet.

2004 – Ligji 9235 date 29.07.2004 per kthimin dhe Kompensimin e Prones, Neni 6, pika 1, paragrafi 1/c: “Subjekteve te shpronesuara u kthehen te gjitha pronat e paluajteshme ne pronesi apo perdorim te Ministrise se Mbrojtjes ....”


Neni 8/1, pika 1: “(a) Kur ndertesat ne pronesi te pronarit shtet nuk perdoren me per interes publik, trualli i kthehet subjektit te shpronesuar, duke i njohur atij te drejten e parablerjes se objektit ne privatizim. Deri ne privatizimin e objektit sipas ketij ligji, shteti detyrohet t’i paguaje subjektit te shpronesuar cmimin e qirase per truallin qe ka ne posedim, sipas tarifave qe zbaton per dhenien me qira te trojeve shteterore te treteve”

Dokument

Kështu pas dhjetëra vitesh procese dhe procedurash, pronarët e tokës arritën të marrin mbrapsht gjënë e vjedhur nga komunistët. Ndërkaq, qysh në 2005, qeveria socialiste donte ta privatizonte ish ndermarrjen dhe pati miratim të ministrave socialistë për të nisur procesin e privatizimit.
Ligji për kthimin e pronës tek pronarët legjitime detyroi që të drejtën e parablerjes (të objekteve që ndërkaq ishin të degraduara dhe të zëna nga banore informalë) e kishin pronarët e tokës. Pronarët fisnikë tiranas paguan mbi 800 miljon lekë për privatizimin e objekteve të rrënuara të ndërtuara nga hajduti “shteti komunist” mbi tokë të pronarëve. Këta pronarë fisnikë menduan edhe për hallexhinjtë që jetonin në kushte të mjerueshme tek ndërtesat e degraduara të ish-klubit. Askush nuk u nxorr në rrugë por u kompensuan me para ose banesë të re, me një standard të paimagjinueshëm për realitetin shqiptar.

Ndaj me anë të kësaj vepre arti njëkohësisht nderojme fisnikë si Nexhat Llagami, Jalldiz Begeja Sefa, Xhemal & Fiqiri Ali-mehmeti, Petrit Bektashi, Luan Saliaga, Bashkim Bekteshi, e të tjerë që u morën me procesin e kthimit të pronës qysh në 1992 dhe ndërruan jetë pa arritur të shijojnë sic duhet as realizimin e ëndrrës së tyre e as modelin e këndshëm urban, miqësor me mjedisin që e nderon edhe qytetin e Tiranës.


5 Familjet e nderuara të Tiranës nuk ndërtuan geto por ngritën një model urban-mjedisor për gjithë qytetin me mijëra pemë e shkurre dekorative, si edhe objekte sociale dhe kulturore.
Arkitekti me famë botërore Daniel Libeskind u kontraktua për të kryer planin bazë dhe arkitekturën e disa prej ndërtesave që sot shërbejnë si modele për studentët e arkitekturës. Ky kompleks është vec 700 metra në vijë ajrore nga kryqëzimi më i ndotur i Tiranes (sheshi Ataturk), por matjet tregojnë se kjo zonë ka cilësinë e ajrit më të mirë në gjithë qytetin e Tiranës. Kjo sepse janë mbjellë mbi 2000 pemë frutore dhe mijëra shkurre dekorative dhe lule dhe gjithë mbitoka është vec për këmbësorët. Koncepti arkitekturor nga Libeskind optimizoi koridoret pamore dhe koridoret ajrore, ventilimin dhe raportet mes diellëzimit e hijëzimit. Familjet pronare dhe investitorët financuan me paratë e tyre edhe një cerdhe e kopsht për fëmijët e komunitetit, si edhe mundësuan një faltore për besimtarët.


Lejet e zhvillimit janë dhënë nga të 3 kryetarët e Bashkive të Tiranës (Rama, Basha dhe Veliaj) pas proceseve të gjata të rishikimit të cdo dokumenti dhe distance urbane.

Fisnikëria e familjeve të hershme të Tiranës nuk ka shkuar dëm. Tradita e fisnikëve vijon me trashëgimtarët që ndonëse kishin tokën por edhe blenë objektet e vjetra të rrënuara për mbi 800 miljonë lekë dhe prapë nuk nxorrën askënd në rrugë por i gjetën strehim apo kompensim të drejtë 42 familjeve që banonin në kushte të mjerueshme në ish objektet e degraduara (si ish dhoma zhveshje, dushe, banjo etj.). Një nga zonjat e familjes Ndreu që banonte në ato kushte të rënda ishte fqinja dhe shoqja më e ngushtë e fisnikes Jalldiz Sefa-Begeja në internim në Savër të Lushnjës. Nëse hallexhinjtë që jetonin në ato kushte do të nxirreshin në rrugë, kjo do të ishte përcmim ndaj punës dhe kujtimit të Dizit të ndjerë që u mor aq shumë me procesin e kthimit të pronave por për fat të keq nuk i gëzoi dot. Për të nderuar kujtimin dhe fisnikërinë e të parëve, 5 familjet pronare nuk pranuan që fitimi i pronës së tyre të ishte në kurriz e të shoqërohej me vështirësi e shtim hallesh për banorët informalë. Ndaj sot 42 familje që banonin në ambjente të degraduara u sistemuan në mjedise të reja ose u kompensuan në mënyrë njerëzore.

10 kopesht.JPG

Për më tepër, në tokën e familjeve pronare sapo u ndërtua edhe kopshti më modern në Tiranë, me standarde ndërtimi të shkëlqyera. Ky kopësht është dhurata tjetër që këto 5 familje fisnike dhe bijtë investitorë të këtyre familjeve i bëjnë qytetit të Tiranës.

Kliko këtu nëse doni të krahasoni këtë standard të lartë dhe realizimet që kryen pronarët e këtyre 5 familjeve të Tiranës, me atë të një toke vec 200 metra më tutje.

bottom of page